E megjithatë ata[233] adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.
Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai[234] me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje.
Gjithashtu ata thonë: “Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!
Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?!” Të padrejtët thonë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur”!
Ditën, kur Ai t’i tubojë idhujtarët bashkë me ata që i adhuronin[235] në vend të Allahut, do t’u thotë (të adhuruarve): “A jeni ju që i keni shmangur këta robër të Mi apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?”
[235] “ata që i adhuronin”: Sipas Taberiut, nuk bëhet fjalë për idhujt në përgjithësi, por për krijesa që janë adhuruar si zota, pa dëshirën e tyre, si p.sh. engjëjt, që arabët paganë i quanin si “bijat e Allahut”, Uzejri, që u quajt si “bir i Zotit” nga hebrenjtë, Isai (a.s.), që u quajt si “bir i Zotit” nga të krishterët etj.
Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për Ty! Nuk ishte nevoja që ne të marrim mbrojtës tjetër, përveç Teje, por Ti u dhe këtyre dhe etërve të tyre jetë të begatshme, ndërsa ata i harruan paralajmërimet e Tua dhe u bënë popull i shkatërruar”!
“Këta e përgënjeshtruan atë që thatë ju e nuk do të munden, as të shmangin dënimin, as të ndihmojnë veten. Kush prej jush ka bërë të këqija, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh.”
Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.
Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi.
Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.
Popullin e Nuhut, kur i quajti gënjeshtarë të dërguarit, Ne e fundosëm dhe e bëmë mësim për njerëzit. Për keqbërësit kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.
Ata[236] me kohë kanë kaluar pranë vendbanimit që e shkatërroi shiu i tmerrshëm[237], e vallë, a nuk e kanë parë atë? Jo, ata nuk prisnin të ringjalleshin.
[236] Karvanët tregtare të idhujtarëve të Mekës.
[237] Vendbanimit të popullit të Lutit që ndodhet rrugës nga Gadishulli Arabik për në Siri, pranë Detit të Vdekur.
Për pak qe duke na shmangur nga hyjnitë tona, po të mos u kishim qëndruar atyre besnikë!” Por, kur të përballen me dënimin, do ta marrin vesh se kush është shmangur më larg rrugës së drejtë.
A nuk e ke parë ti se si Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj,
Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra, - njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, - duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre.
Megjithatë, ata adhurojnë, në vend të Allahut, gjëra që nuk mund t’u sjellin as dobi, as dëm. Jobesimtari është ndihmës (i djallit) kundër Zotit të tij.
Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.
Kur atyre u thuhet: “Bëjini sexhde të Gjithëmëshirshmit”, ata thonë: “Çfarë është i Gjithëmëshirshmi? Vallë, t’i biem në sexhde atij që na urdhëron ti?” Kjo u shton atyre më shumë largim (prej fesë).
dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë[238] dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.
[238] “përveçse me të drejtë”: d.m.th. për mbrojtje të ligjshme, gjatë luftës për çështjen e Allahut dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.
Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm”.