I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Jobesimtarët thonë: “Nuk do të na vijë Ora (e Kiametit)”! Thuaju: “Po, për Zotin tim! Me siguri që ajo do t’ju vijë”! Ai i di të gjitha të fshehtat. Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë as në qiej, as në Tokë e nuk ka asgjë më të vogël apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë.
(Kiameti do t’ju vijë) me qëllim që Ai të shpërblejë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Për njerëz të tillë do të ketë falje dhe begati të mrekullueshme.
Ata, të cilëve u është dhënë dituria, e shohin se ajo, që të është zbritur ty nga Zoti yt, është e vërteta, e cila të udhëzon në rrugën e të Plotfuqishmit dhe të Denjit për çdo lavd.
Ndërsa jobesimtarët thonë: “A doni t’ju tregojmë një njeri[270] që pretendon se, kur të shpërbëheni plotësisht e të bëheni pluhur, ju, me siguri do të rikrijoheni nga e para?
A po trillon gënjeshtra për Allahun apo është i çmendur?” (Nuk është kështu), por ata që nuk besojnë në jetën tjetër, do të dënohen dhe janë në humbje të madhe.
Vallë, a nuk shohin ata çfarë ka para tyre e pas tyre në qiell dhe në Tokë? Sikur të donim, Ne do t’i fundosnim ata në tokë ose do të hidhnim mbi ta copa nga qielli. Me të vërtetë, në këtë ka shenjë për çdo rob që kthehet tek Allahu me pendesë.
Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje. Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë dhe xhinde që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit.
Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm. “O familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.
Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre[271] nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit[272]. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar.
[271] D.m.th. xhindeve.
[272] Krimbi brejti shkopin ku Sulejmani mbështetej i vdekur.
Vendbanimi i Sebës ishte një shenjë e qartë për banorët e tij: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit. (Ne u thamë atyre): “Hani nga ato që ju ka dhënë Zoti juaj dhe falënderojeni Atë. I mrekullueshëm është vendi juaj dhe Falës i madh është Zoti juaj!”
Por ata nuk ua vunë veshin (fjalëve Tona), prandaj Ne lëshuam mbi ta ujërat e digës dhe dy kopshtet e tyre ua zëvendësuam me kopshte të tjera, me fruta të hidhëta marine dhe pak lotusë.
Midis atyre dhe qyteteve që i kemi bekuar, Ne vendosëm vendbanime të dukshme buzë rrugës dhe e bëmë të lehtë udhëtimin (duke u thënë): “Udhëtoni të sigurt nëpër to natë e ditë!”
Por ata thanë: “O Zoti ynë, bëje më të madhe largësinë e udhëtimeve tona”. kështu ata e ngarkuan veten me gjynahe dhe Ne i bëmë ata rrëfenja dhe i përndamë plotësisht. Sigurisht, në këtë, ka shenja si mësime për çdo të durueshëm dhe falënderues.
Por ai (Iblisi) nuk ka pasur kurrfarë pushteti mbi ta. Ne vetëm kemi dashur të zbulojmë se kush beson në jetën tjetër e kush dyshon në të. Zoti yt është Mbikëqyrës i çdo gjëje.
Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.”
Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje. Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, ata do të thonë: “Çfarë tha Zoti juaj?” dhe do të përgjigjen: “Të vërtetën! Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.”
Thuaju: “Kush ju furnizon ju prej qiejve dhe prej Tokës?” - Thuaju: “Allahu! Ne nuk mund të jemi që të dyja palët në rrugën e drejtë, ose ju, ose ne jemi në humbje të qartë!”
Thuaju: “M’i tregoni ata, që ia vishni Atij si ortakë.” Kurrsesi, ata nuk mund të jenë ortakë të Tij. Ai është Allahu (Një i Vetëm), i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Ata që nuk besojnë, thonë: “Ne nuk do të besojmë kurrsesi në këtë Kuran, as në ato që janë zbritur para tij”. Eh, sikur t’i shihje keqbërësit duke dalë para Zotit të tyre dhe duke shkëmbyer akuza me njëri-tjetrin. Të dobëtit do t’u thonë atyre që madhështoheshin: “Sikur të mos ishit ju, ne do të ishim besimtarë”.
Ata që madhështoheshin, do t’u thonë atyre që i quanin për të dobët: “Vallë, ne ju penguam nga udhëzimi i Allahut, kur ju erdhi juve?! Jo, por ju jeni keqbërës!”
Ndërsa të dobëtit do t’u thonë atyre që madhështoheshin: “Nuk është kështu! Ju keni komplotuar natë e ditë, duke na urdhëruar, që ta mohonim Allahun dhe t’i vishnim Atij (zota të tjerë) të barabartë me Atë”. Dhe ata do ta fshehin pikëllimin, kur ta shohin dënimin. Ne do të vëmë vargonj në qafat e atyre që mohuan. A do të ndëshkohen ndryshe, veçse sipas asaj që kanë bërë?!
As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurt në banesa të larta (në Xhenet).
Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im i jep begati të bollshme kujt të dojë nga robërit e Tij dhe ia pakëson kujt të dojë. Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.”
Kur iu lexohen atyre shpalljet Tona të qarta, ata (paganët e Mekës) thonë: “Ky (Muhamedi a.s.) është vetëm njeri, që dëshiron t’ju largojë nga ajo që etërit tuaj kanë adhuruar”. Dhe ata thonë: “Ky (Kuran) nuk është asgjë tjetër veçse një gënjeshtër e trilluar!” Dhe, kur u vjen e Vërteta, jobesimtarët thonë: “Kjo është vetëm magji e qartë!”
Ata, që kanë qenë para tyre, i mohuan shpalljet Tona. Ata ishin dhjetë herë më të begatë dhe më të fuqishëm (se idhujtarët e Mekës) e, megjithatë, i quajtën gënjeshtarë të dërguarit e Mi. Eh, si ka qenë dënimi Im (ndaj tyre)!
Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë.”
Thuaj: “Nëse gaboj, unë gaboj vetëm për dëmin tim e, nëse udhëzohem në rrugën e drejtë, kjo është nga shpallja e Zotit tim. Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe është afër”.
Një pengesë do të vendoset midis tyre dhe asaj që dëshironin, ashtu siç është bërë me të ngjashmit e tyre më parë. Me të vërtetë, ata të gjithë kanë qenë në dyshim të madh.