Kur hynë te Davudi, ai u frikësua prej tyre. Ata thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”.
(Njëri prej tyre tha:) “Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: “Ma jep mua atë!” - dhe më mundi me fjalë.”
Davudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. Davudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.
“O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.”
Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!
A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!
(Ne i thamë atij): “Merr me dorën tënde një tufë thuprash e bjeri lehtë me to (gruas tënde) dhe mos e shkel betimin tënd![279]” Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!
[279] Sipas komentuesve të Kuranit, gjatë kohës që ishte sëmurë, Ejubi (a.s.) u inatos me të shoqen për disa çështje dhe u betua që, nëse do ta shëronte Allahu, ai do ta godiste gruan njëqind herë me thupër. Pasi u shërua, Allahu e urdhëroi Ejubin ta përmbushte betimin, por duke e qëlluar gruan lehtë një herë të vetme me një tufë prej njëqind thuprash.
Ne do t’u themi prijësve të jobesimtarëve: “Ky është një grumbull bashkë me ju.[280] Nuk ka mirëseardhje për ta. Me siguri që ata do të digjen në zjarr!”
[280] Në fillim do të hidhen në Xhehenem prijësit e jobesimtarëve. Më pas, do të hidhen turmat që shkuan pas tyre në mosbesim dhe prijësve do t’u thuhet: “Ky është grumbull bashkë me ju”.
Pasuesit jobesimtarë do t’u thonë prijësve të tyre: “Ah, ju mos paçi çlirim e as qetësi! Ju na keni sjellë në këtë gjendje! Eh, sa strehim i keq është ky!”
Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?”