Edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, edhe në ujin që Allahu e zbret nga qielli, duke gjallëruar nëpërmjet tij tokën e shkretuar, edhe në ndërrimin e erërave, ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Këto janë shpalljet e Allahut, të cilat Ne t’i tregojmë ty me tërë të vërtetën. Atëherë, në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?!
Para tyre është Xhehenemi dhe nuk do t’u vijë në ndihmë asgjë nga ato që kanë fituar apo nga ata (idhuj) që i kanë marrë për mbrojtës në vend të Allahut! Ata i pret mundim i madh.
Allahu është Ai që ka nënshtruar për ju detin, që nëpër të, me urdhrin e Tij, të lundrojnë anijet, për të kërkuar dhuntitë e Tij dhe që ju të jeni mirënjohës.
Ne u dhamë bijve të Israilit Librin, pushtetin dhe Profecinë. Ne i begatuam ata me gjëra të mira dhe i ngritëm mbi të gjithë popujt e tjerë (të asaj kohe).
Gjithashtu, Ne u dhamë udhëzime të qarta mbi besimin, por ata u përçanë, atëherë kur u erdhi dituria, pasi patën smirë në mes tyre. Zoti yt, me siguri, do t’i gjykojë (ata) në Ditën e Kiametit për kundërshtitë që patën.
Ata nuk mund të të mbrojnë aspak nga zemërimi i Allahut. Pa dyshim, keqbërësit kanë për mbrojtës njëri-tjetrin, kurse Allahu është Mbrojtësi i atyre që i frikësohen Atij e që ruhen nga gjynahet.
A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!
Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me qëllim të plotë, në mënyrë që çdo njeri të jetë i shpërblyer për atë që ka punuar. E, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?
Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.
Thuaju: “Allahu jua jep jetën, pastaj ju bën të vdisni e mandej do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit e për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi; por shumica e njerëzve nuk e dinë”.
Atëherë të gjithë popujt do t’i shohësh të gjunjëzuar. Çdo popull do të thirret në Librin e vet (e do t’i thuhet): “Sot do të shpërbleheni për atë që keni bërë.
Për sa u përket atyre që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, ata do t’i pranojë Zoti i tyre në mëshirën e Vet[310]. Kjo është fitorja e lavdishme!
Dhe, kur juve ju thuhej: “Premtimi i Allahut është i vërtetë: Ora (e Kiametit) pa dyshim që do të vijë!” - ju thoshit: “Ne nuk e dimë ç’është Ora (e Kiametit). Ne mendojmë se është vetëm një hamendje, prandaj nuk jemi të bindur;”
Pastaj do t’u thuhet: “Ne sot po ju braktisim në harresë, ashtu siç e keni harruar ju takimin e kësaj dite. Vendqëndrimi juaj është Zjarri dhe për ju nuk ka kurrfarë ndihmësi.
Ky dënim ju erdhi ngaqë i përqeshnit shpalljet e Allahut dhe u mashtruat nga jeta e kësaj bote.” Atë ditë ata nuk do të nxirren nga zjarri e nuk do të pranohet prej tyre asnjë arsyetim.